PrivChat

një bisedë mbi teknologjinë, të drejtat e njeriut,
dhe lirinë në internet, sjellë për ju nga Projekti Tor

PrivChat është një varg veprimtarish mbledhjeje fondesh për të mbledhur dhurime për Projektin Tor. Përmes PrivChat-it do t’ju sjellim informacion të rëndësishëm të lidhur me ç’ndodh në teknologji, në të drejtat e njeriut dhe lirinë në internet, duke sjellë ekspertë të bisedojnë me bashkësinë tonë.


Kapitulli #2 - i Miri, i Keqi dhe i Shpifuri në Anashkalim Censurimi

Shiheni

Çdo vit, censurimi në internet shtohet globalisht. Nga bllokime në shkallë rrjeti e deri te fikje të internetit në shkallë kombëtare, qeveritë dhe shoqëritë private kanë mjete të fuqishme për të kufizuar informacionin dhe për të penguar lidhjet mes njerëzve. Mjaft vetë, grupe dhe ente po kryejnë punë novatore për studimin, matjen dhe hedhjen në kundërsulm ndaj censurimit internetor--dhe po ndihmojnë miliona vetë të lidhen më rregullisht dhe me më siguri në internet. Pavarësisht këtyre sukseseve, përballemi me kundërshtarë të financuar fuqishëm që kanë miliarda dollarë për t’i shpenzuar për mekanizma censurimi dhe gara e armatimeve vazhdon. Edicioni i dytë i PrivChat-it me Tor-in do të zhvillohet rreth temës I miri, i Keqi dhe i Shëmtuari në vijën e parë të betejës për anashkalim të censurimit. Në një botë ku teknologjia e censurimit është gjithnjë e më e sofistikuar dhe blerë e shitur mes shtetesh, e tillë është edhe fryma jonë krijuese për të vlerësuar dhe ndërtuar mjete për ta anashkaluar, si dhe vullneti i njerëzve për të t’iu kundërvënë. Por a mjafton? Cilat janë pengesat që hasin njerëzit dhe entet në luftën për liri internetore?

Organizatore

Cory Doctorow

Electronic Frontier Foundation, MIT

Cory Doctorow është autor fantastiko-shkencor, veprimtar dhe gazetar. Ai është autori i “I radikalizuar” dhe “Walkaway”, letërsi fantastike shkencore për të rritur, një romani grafik YA të quajtur “Në jetën e njëmendtë”, librin joletrar biznesi “Informacioni s’dëshiron të jetë i lirë”, si dhe romane për të rinj të tillë si “Atdheu”, “Kinema pirate” dhe “Vëllai i vogël”. Libri i tij i fundit është “Poesy the monster slayer”, një libër me figura për lexues të rinj. Libri i tij i ardhshëm do të jetë “Fushë sulmi”, një vazhdim për të rritur i “Vëllait të vogël”. Mirëmban një blog të përditshëm, Pluralistic.net. Punon për Electronic Frontier Foundation, është bashkëpunëtor i MIT Media Lab Research, profesor i ftuar informatike në Open University, profesor u ftuar praktike në Shkollën e Shkencës së Bibliotekave dhe Informacionit të Universitetit të Karolinës së Veriut dhe bashkë-themeloi UK Open Rights Group. Lindur në Toronto, Kanada, tani jeton në Los Anxheles.

Pjesëmarrës

Felicia Anthonio

Veprimtare Fushate, Drejtuese te #KeepItOn, në Access Now

Felicia Anthonio punon me shoqatën Access Now si një veprimtare për fushatën #KeepItOn, një fushatë mbarëbotërore që lufton kundër fikjeve të internetit. Koalicioni #KeepItOn formohet nga mbi 210 ente anembanë botës. Para ardhjes në Access Now, ishte bashkëpunëtore programi në “Media Foundation for West Africa” (MFWA) ku bashkërendonte African Freedom of Expression Exchange (AFEX), një rrjet kontinental entesh të fjalës së lirë në Afrikë. Felicia ka drejtuar fushatat e AFEX-it dhe punën e mbrojtjes së lirisë së fjalës, përfshi sigurinë e gazetarëve, hyrjen në informacion, liritë internetore dhe të drejtat dixhitale, me vëmendje të veçantë në reforma politikash që janë të dëmshme për lirinë e fjalës (jashtë interneti dhe në të). Është bashkëpunëtore e African Internet Governance School (AfriSIG) për 2019-n. Është diplomuar për Letërsi, Gjuhë dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare nga Universiteti i Orleanit, Francë dhe ka një diplomë cikli të parë universitar për frëngjisht dhe psikologji nga Universiteti i Ganës.

Vrinda Bhandari

Of Counsel - Litigation, Internet Freedom Foundation

Vrinda Bhandari është një avokate në Nju Deli, Indi, e specializuar për fushën e të drejtave dixhitale, teknologjisë dhe privatësisë. Ka qenë e përfshirë në çështjen gjyqësore lidhur me projektin e identitetit biometrik në Indi (Adar), aplikacioni i ndjekjes së kontakteve zhvilluar nga qeveria (Aarogya Setu), rikthimin e internetit në Xhamu & Kashmir, dhe merret me qenien kushtetues apo jo të regjimit të survejimit dhe të nenit mbi njollosjen kriminale në Indi. Vrinda ka këshilluar dhe përfaqësuar gjithashtu klientë në çështje të lidhura me bllokim sajti, njollosje, si dhe rebelim. Vrinda pat përfituar një bursë Rhodes, për diplomimin nga Universiteti i Oksfordit me një diplomë juristeje (BCL) dhe një tjetër në politika publike (MPP), ndërsa diplomën parauniversitare e ka marrë në Shkollën Kombëtare Juridike të Universitetit të Indisë, në Bangalore.

Cecylia Bocovich

Zhvillues, Projekti Tor

Cecilia është zhvilluese software-i në Projektin Tor, ku merret me zhvillim mjetesh për anashkalim censurimi dhe për t’u dhënë mundësi përdoruesve të përdorin rrjetin Tor. U diplomua më 2018-n në universitetin University of Waterloo me një doktoratë në shkenca kompjuteri dhe vazhdon të marrë pjesë në Cryptography, Security, and Privacy (CrySP) Research Lab si kërkuese e jashtme. Si e diplomuar, u mor me kërkime për teknika anashkalimi censurimi që u rezistojnë censorëve të fuqishëm të aftë të shfrytëzojnë të nxënit nga makina, si dhe me të qenët të përdorshëm të mjeteve të privatësisë. Aktualisht mban postin e drejtoreshës këshilltare për Open Privacy, një ent jofitimprurës që merret me zhvillim teknologjish privatësie që fuqizojnë bashkësitë dhe bëjnë të mundur konsensusin. Ajo ndihmoi gjithashtu të krijohej, organizohej dhe aktualisht mban postin e drejtueses së komitetit të artifakteve për revistën <em>Proceedings on Privacy Enhancing Technologies (PoPETs)</em>, objekti i së cilës është të përkrahë dhe promovojë dhënien publike të kodit burim dhe grupeve të të dhënave për kërkime të lidhura me privatësinë.

Arturo Filastò

Udhëheqës i Projektit & Inxhinier, OONI

Arturo-ja bashkëthemeloi Open Observatory of Network Interference (OONI) më 2011-n dhe prej atëherë ka shërbyer si drejtues projekti për të dhe inxhinier i bazës së programit. Më herët pat punuar me Projektin Tor si një zhvillues dhe krijoi një numër projektesh të tjerë <em>software</em> që promovojnë të drejtat e njeriut, bie fjala, GlobaLeaks. Bashkëthemeloi gjithashtu dhe shërbeu si zëvendëspresident i Qendër Hermes për të Drejta Dixhitale të Njeriut. Arturoja studioi matematikë dhe shkenca kompjuterike në universitetin “La Sapienza” të Romës.

Dhurimet tuaja e bëjnë të mundur këtë seri dhe punën tonë në Tor.

Rruga më e mirë për të përkrahur punën tonë është të bëheni një dhurues i përmuajshëm.